Shqipëria humbet 2-1 ndaj Finlandës në transfertë, në një ndeshje që nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për kuqezinjtë, por përfundoi me zhgënjim. Kuqezinjtë luajtën me 10 lojtarë për më shumë se një orë, pas daljes me karton të kuq të portierit Etrit Berisha.
Pjesa e parë nisi shumë mirë për Shqipërinë. Pas një goditjeje dënimi, Manaj u gjend në vendin e duhur dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.
Shqipëria vazhdoi të luante mirë deri në minutën e 22-të, kur Berisha bëri një ndërhyrje të gabuar pas një pasimi të rrezikshëm dhe u ndëshkua me karton të kuq. Hoxha la fushën dhe në portë u fut Sherri, por ky i fundit nuk arriti të ndalte goditjen e lirë në hyrje të zonës, me Finlandën që barazoi shifrat në 1-1.
Pjesa e dytë nisi me një zëvendësim për kuqezinjtë, me Manajn që i la vendin Dakut. Sulmuesi bëri një paraqitje të mirë në rreth 30 minuta lojë dhe dha një pasim të artë për Pilon, i cili gjuajti drejt portës, por u ndal nga portieri vendas. Më pas, Muçi u zëvendësua nga Uzuni.
Pikërisht në momentin kur Shqipëria po luante mirë, Finlanda goditi sërish nga një goditje dënimi. Walta u tregua i saktë dhe shënoi golin e përmbysjes, duke çuar vendasit në avantazh 2-1.
Në vijim, trajneri bëri edhe dy zëvendësime të tjera, duke aktivizuar Shehun dhe Mehmetin në vend të Asllanit dhe Pilonit. Në një kundërsulm, kuqezinjtë pretenduan për penallti, por arbitri akordoi karton të verdhë për Uzunin.
Pavarësisht përpjekjeve deri në fund, Shqipëria nuk arriti të gjente golin e barazimit dhe pësoi një humbje 2-1, duke humbur një ndeshje që, për mënyrën se si u zhvillua, la shumë pengje. Kuqezinjtë humbasin gjithashtu mundësinë për të mbajtur kreun e grupit.

