Haaland thumbon tifozin e United: “Priti flokët, shoku”

Erling Haaland është bërë pjesë e historisë virale të tifozit të Manchester United, Frank Ilett, i njohur për flokët e tij të gjatë. Ilett kishte premtuar se nuk do t’i priste flokët derisa United të fitonte pesë ndeshje radhazi. Në shkurt, skuadra iu afrua objektivit, por seria u ndërpre pas barazimit 1-1 me West Hamin, ndërsa reagimi i tifozit pas ndeshjes u ndoq nga rreth 300 mijë persona në Kick. Historia u rikthye në vëmendje pasi Manchester City e nisi sezonin me pesë fitore radhazi në Premier League. Në rrjetet sociale u përhap edhe një teori që lidhi prerjen e flokëve të Haalandit me serinë e fitoreve të Cityt. Ilett e hodhi poshtë këtë ide, duke thënë se Haaland do t’i kishte prerë flokët pas fitores së pestë dhe jo më vonë.

Por përgjigjja e sulmuesit norvegjez ishte e shkurtër dhe thumbuese: “Priti flokët, shoku”, i shkroi Haaland tifozit të Unitedit. Komenti i tij u bë menjëherë viral dhe ndezi sërish diskutimet në rrjetet sociale. Saga e Ilett ka tërhequr edhe më herët vëmendjen e ish-yllit të Unitedit, Wayne Rooney, i cili kishte kritikuar faktin që vëmendja rreth ekipit ishte përqendruar te sfida e tifozit dhe jo te rezultatet e skuadrës. Tashmë, pas ndërhyrjes së Haalandit, presioni mbi Ilett për të prerë flokët duket se është rritur edhe më shumë.