Ish-futbollisti dhe trajneri turk, Ümit Özat, ka kritikuar ashpër Ernest Muçin, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e sulmuesit shqiptar. Në një prononcim për mediat turke, Özat u shpreh se Muçi është shumë i brishtë fizikisht dhe se do ta shiste nëse në klub do të mbërrinte një ofertë e përshtatshme.
“Ernest Muçi rrëzohet në tokë edhe po t’i frysh para fytyrës. Nëse vjen një ofertë për Muçin, do ta shisja. Në vend të tij do të sillja një lojtar më të mirë”, deklaroi Özat. Ai theksoi se në kampionatin turk një “numër 10” që luan me këmbën e majtë është tepër i rëndësishëm, ndërsa për një organizator që përdor këmbën e djathtë kërkesat janë shumë më të larta.
“Nëse kërkon një ‘numër 10’ që luan me të djathtën, ai duhet të jetë si Sneijder. Nuk mund të jetë si Muçi. Ai luan duke ecur në majë të gishtave; është diçka shumë e veçantë”, shtoi ish-lojtari i kombëtares turke. Komentet e Özat kanë hapur debat në mediat sportive turke për paraqitjet dhe rolin e Ernest Muçit në skuadër.

