Carragher kritikon ashpër Wirtz-in: Nuk mund të vazhdojë te Liverpooli

Jamie Carragher ka rikthyer kritikat ndaj Florian Wirtz, duke shprehur dyshime të forta për paraqitjet e gjermanit që prej transferimit tek Liverpooli. Ish-mbrojtësi i “Reds” deklaroi se problemi nuk është një periudhë e dobët e përkohshme e Wirtz, por ajo që ai ka treguar deri tani në fushë. Sipas Carragher, mesfushori nuk po kalon thjesht një moment të vështirë, por po tregon nivelin e tij real. “Arsyeja pse jam i shqetësuar është se nuk mendoj që Wirtz po kalon një formë të keqe që prej momentit kur erdhi tek Liverpooli. Në fakt, mendoj se ajo që po shohim është ajo që ai është”, u shpreh Carragher.

Më tej, ai shkoi edhe më tej me kritikat, duke vënë në pikëpyetje nëse Wirtz mund të vazhdojë të jetë pjesë e Liverpoolit. “Wirtz nuk mund të vazhdojë tek Liverpooli. Nuk e shoh se si mund t’i shkaktojë dëme kundërshtarit. Ai është thjesht i lexueshëm në lojën e tij”, deklaroi ish-futbollisti anglez. Carragher kritikoi gjithashtu edhe shumën e paguar nga Liverpooli për transferimin e gjermanit, duke e konsideruar tepër të lartë në raport me atë që ka treguar deri tani. “Për një lojtar të këtij lloji, çmimi duhet të ishte ndoshta gjysma e asaj që pagoi Liverpooli”, përfundoi Carragher.