Maran shpall listën e Nations League me disa risi

Trajneri Rolando Maran ka shpallur sot listën e lojtarëve të grumbulluar për 4 sfidat e Nations League që do të luhen nga data 26 shtator deri më 6 tetor. Në listë ka rikthime, mungesa me peshë dhe dy lojtarë debutues.

Trajneri italian ka rikthyer portierin Etrit Berisha, në mungesë të Tomas Strakoshës për dëmtim. Berisha, 37 vjeç, luan në kampionatin suedez me Hacken. Maran ka preferuar eksperiencën e tij dhe ka ftuar këtë herë 4 portierë.

Rikthime janë edhe Manaj, Kumbulla e Muçi, të cilët kanë munguar për dëmtime në grumbullimet e fundit. Jashtë listës kanë mbetur sulmuesi Armando Broja dhe fantazisti Nedim Bajrami. Portieri Mario Dajsinani dhe mbrojtësi Naser Aliji mbeten përfaqësuesit e vetëm të kampionatit shqiptar në Kombëtare.

Risitë e listës së trajnerit Maran janë Sabah Kerjota, sulmues i krahut të djathtë që luan në Skoci me Hearts, dhe mbrojtësi 19-vjeçar Samuele Sina, i cili aktivizohet me Breshian në Itali. Kombëtarja shqiptare luan fillimisht me Bjellorusinë në shtëpi, më 26 shtator, pastaj përballet me San Marinon në transfertë më 29 shtator dhe po jashtë fushe me Finlandën më 3 tetor. Tri ditë më pas, më 6 tetor, kuqezinjtë presin në shtëpi San Marinon. Stërvitjen e parë trajneri Maran do ta kryejë pasditen e së hënës në Shtëpinë e Futbollit.