Formula 1 ka zyrtarizuar kalendarin e sezonit 2027, i cili do të nisë në Bahrein më 14 mars dhe do të mbyllet në Abu Dhabi më 12 dhjetor. Kampionati do të zgjasë rreth nëntë muaj dhe do të përfshijë 24 gara në 22 vende. Kalendari i ri sjell edhe disa ndryshime të rëndësishme. Portimão në Portugali dhe Stambolli në Turqi rikthehen në Formula 1, ndërsa nga kalendari largohen Barcelona dhe Zandvoort. Një tjetër risi është rritja e numrit të garave Sprint. Nga gjashtë të tilla në sezonet e fundit, në vitin 2027 do të zhvillohen 10 gara Sprint, ku për herë të parë në këtë format do të përfshihen edhe eventet e Monakos dhe Monzës.
Para nisjes së kampionatit, pilotët do të zhvillojnë testet zyrtare në Bahrein, nga 24 deri më 27 shkurt. Pikërisht në këtë pistë do të zhvillohet edhe gara hapëse, pak më shumë se dy javë më vonë, me Bahreinin që do të jetë gjithashtu një nga fundjavat me format Sprint.
Pas Bahreinit, Formula 1 do të udhëtojë drejt Arabisë Saudite, më 19-21 mars, përpara garave në Australi, Japoni dhe Kinë. Në fund të prillit dhe fillim të majit, kampionati do të zhvendoset në Amerikë, me garat në Miami dhe Montreal. Faza evropiane do të nisë në qershor me Monakon, përpara ndalesave në Portugali, Britani të Madhe, Austri dhe Belgjikë. Më pas do të vijë gara e Hungarisë, ndërsa Monza është planifikuar për 3-5 shtator. Pas Italisë do të zhvillohen garat në Spanjë, Azerbajxhan, Turqi dhe Singapor.
Në pjesën finale të sezonit, Formula 1 do të kalojë në Austin, Meksikë, Brazil dhe Las Vegas, përpara dy garave të fundit në Katar dhe Abu Dhabi. Megjithatë, një pikëpyetje mbetet mbi garat në Lindjen e Mesme, për shkak të situatës së sigurisë në rajon. Konfliktet atje shkaktuan ndryshime të rëndësishme edhe në kalendarin e vitit 2026, me anulimin e garave në Bahrein dhe Arabinë Saudite.

