Domenico Tedesco nuk është më trajner i Bolognas. Aventurës së teknikut belg në stolin e skuadrës italiane i ka ardhur fundi pas vetëm katër javësh kampionat, me klubin që ka vendosur të bëjë ndryshimin pas një starti zhgënjyes. Bologna ka grumbulluar vetëm një pikë në katër ndeshje, pas humbjeve ndaj Lazios, Atalantës dhe Napolit, ndërsa barazimi erdhi përballë Sassuolos. Përtej rezultateve, drejtuesit kanë shfaqur shqetësim edhe për mungesën e përmirësimit në lojën e skuadrës. Të martën, drejtuesit e klubit zhvilluan një takim me Tedescon, ku i bënë të qartë shqetësimin për situatën.
Trajneri pranoi përgjegjësinë për fillimin e vështirë të sezonit, por nuk paraqiti dorëheqjen dhe shprehu dëshirën për të tentuar ta kthente situatën në favor. Megjithatë, drejtuesit e Bolognas vendosën të mos presin më gjatë dhe ndërhynë përpara sfidës së së shtunës ndaj Torinos në “Dall’Ara”, si dhe para pushimit për ndeshjet e kombëtareve. Pas shkarkimit të Tedesco-s, zgjedhja e klubit ka rënë mbi Raffaele Palladinon. Ish-trajneri i Atalantës dhe Fiorentinës është aktualisht i lirë, pasi u largua nga Atalanta në fund të sezonit të kaluar. Palladino pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme dhe të marrë drejtimin e skuadrës që në përballjen ndaj Torinos. Për të do të jetë një mundësi për të rikthyer Bolognan në rrugën e rezultateve pas një starti që ka zhgënjyer drejtuesit dhe tifozët.

