Philippe Coutinho rikthehet në Brazil, firmos me Santosin

Philippe Coutinho ka gjetur skuadër të re, teksa Santos ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit brazilian, i cili ka firmosur një kontratë afatshkurtër deri në fund të vitit 2026. Lëvizja vjen pasi 34-vjeçari përfundoi me sukses vizitat mjekësore te klubi brazilian, duke i hapur rrugë rikthimit të tij në futbollin aktiv.

Coutinho rikthehet në Brazil pas largimit nga Vasco da Gama në muajin shkurt, ndërsa që prej asaj kohe kishte mbetur pa ekip dhe nuk kishte zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare. Paraqitja e fundit e tij daton më 14 shkurt, kur luajti me Vasco da Gamën në përballjen ndaj Volta Redondas. Tashmë, ish-mesfushori i Liverpoolit dhe Barcelonës do t’i bashkohet Santosit, ku do të gjejë edhe Neymarin. Sipas raportimeve, ylli brazilian ka luajtur një rol të rëndësishëm në bindjen e ish-shokut të tij të kombëtares për të zgjedhur Santosin. Coutinho shpreson që kjo aventurë e re t’i japë mundësinë të rikthehet gradualisht në ritmin e ndeshjeve dhe të lërë pas periudhën e gjatë pa futboll.