Daniel Maldini ka përjetuar momente frike gjatë orëve të para të mëngjesit në Milano, pasi futbollisti i Cagliarit u përfshi në një aksident automobilistik rreth orës 05:15, vetëm pak orë pasi kishte qenë protagonist në fitoren 2-1 të skuadrës së tij ndaj Atalantës. 24-vjeçari e nisi ndeshjen si titullar në Bergamo dhe shënoi nga pika e bardhë golin vendimtar të triumfit, përpara se të kthehej në Milano, ku gjatë natës ndodhi aksidenti në rrugën “Caracciolo”, në pjesën veriore të qytetit.
Në aksident u përfshinë gjashtë persona: përveç Maldinit, edhe dy vajza 20 dhe 22 vjeç, si dhe tre djem 19, 20 dhe 21 vjeç. Të gjithë pësuan dëmtime, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ishte në gjendje të rëndë. Sipas rindërtimit paraprak të Policisë Bashkiake, Maldini po drejtonte një Porsche Carrera 4 dhe, teksa hynte në rrugën “Caracciolo” nga “Tolentino”, nuk i kishte dhënë përparësi një Volkswagen Golf-i që po lëvizte në drejtim të “Mac Mahon”. Pas përplasjes, Golf-i goditi edhe një Mercedes të parkuar.
Në vendngjarje mbërritën tri ambulanca. Maldini u transportua në spitalin Fatebenefratelli me kodin blu, ndërsa personat e tjerë u dërguan në spitale të ndryshme me kod të verdhë. Autoritetet kanë urdhëruar gjithashtu kryerjen e testeve toksikologjike për alkool dhe drogë.
Megjithatë, lajmet për gjendjen shëndetësore të futbollistit janë qetësuese. Avokati i tij, Danilo Buongiorno, bëri të ditur se Maldini iu nënshtrua kontrolleve për një kohë të shkurtër në urgjencë dhe më pas u largua nga spitali. “Daniel është mirë dhe nuk ka pësuar asnjë dëmtim, aq më pak ndonjë dëmtim të rëndë”, deklaroi avokati.

