Mourinho i kënaqur pas fitores së Realit: Lojtarët meritojnë duartrokitje

José Mourinho ishte i kënaqur. Trajneri i Real Madridit pa skuadrën e tij të mposhtte bindshëm mysafirët e Rayo Vallecanos me rezultat 4-1 në xhiron e pestë të sezonit në LaLiga.

Gazeta “AS” publikoi komentet e Mourinhos për “Real Madrid TV”, ku ai tha: “Fitorja ishte e rëndësishme, veçanërisht pas humbjes në xhiron e kaluar ndaj Real Betisit”.

“E vendosëm ndeshjen në pjesën e parë dhe nuk ishim brilantë në pjesën e dytë, por nuk është e lehtë”, shtoi ai.

Mourinho theksoi: “Të punosh në mënyrën se si punuam ne pas ndeshjes së Championsit, nuk ka të bëjë vetëm me aspektin fizik, por edhe me atë mendor. Bëmë disa ndryshime te lojtarët, i dhamë stabilitet mesfushës dhe vërtet e gjetëm atë. Lojtarët e meritojnë respektin dhe duartrokitjet e mia”.

“26 goditje dhe 14 gola në fushën tonë, shënojmë shumë gola, por gjithashtu shpërdorojmë një numër të madh rastesh”, vuri në dukje ai.