Richarlison në krizë te Tottenhami, braziliani i drejtohet FIFA-s për prishjen e kontratës

Richarlison po kalon një periudhë të vështirë te Tottenhami, pasi nuk është përfshirë në listën prej 25 lojtarësh për sezonin e ri të Premier League dhe është dërguar të stërvitet me ekipin U-21. Sulmuesi 29-vjeçar, i cili ka edhe një vit kontratë me klubin londinez, i është drejtuar FIFA-s me kërkesën për ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjes, duke argumentuar se përjashtimi nga skuadra e parë mund t’i japë bazë ligjore për t’u larguar menjëherë. Richarlison ishte lidhur gjatë verës me një rikthim te Evertoni, por e refuzoi këtë mundësi.

Tashmë, Vasco da Gama shihet si një destinacion i mundshëm në rast se FIFA i jep të drejtë për të ndërprerë kontratën. Rasti ka shkaktuar debat në Angli, ndërsa ish-pronari i Crystal Palace, Simon Jordan, ka paralajmëruar se një vendim i tillë mund të krijojë precedent për lojtarë të tjerë. Richarlison iu bashkua Tottenhamit në vitin 2022 për rreth 58 milionë euro dhe me klubin londinez ka shënuar 32 gola e ka dhënë 15 asistime në 134 paraqitje. Me kombëtaren e Brazilit, sulmuesi ka realizuar 20 gola në 54 ndeshje.