300 mijë vetë në shesh dhe një stadium ku mbretëroi emri i tij. Kasapi i Srebrenicës, Ratko Mlladiç, këtë javë mori dënimin hyjnor dhe, me siguri, llogaritë po i bën në Ferr. Por serbët nuk pranojnë që ai të takojë djajtë, duke e rindërtuar figurën e tij në majën e Olimpit të mendjes së tyre të sëmurë.
Derbi i Beogradit, si kurrë më parë, i bëri të gjithë bashkë: nazistët e Crvena Zvezdës dhe Partizani. Kore, himne, koreografi dhe rikthim te shprehjet famëkeqe të gjeneralit. Asgjë për t’u habitur. Ata janë pikërisht këta: njerëz të egër që nuk humbasin rastin për të ngritur në qiell mite të frikshme.
E kanë bërë 3-4 dekada më parë me Arkanin dhe vazhdojnë sot, përditë e më shumë, me figura si Mlladiçi, i cili lidhje me futbollin nuk ka, por me siguri e lidhin fije të shumta me horrorin e luftës. Një TURP i madh në mes të Europës, ku pothuajse çdo javë tifozët serbë nuk humbasin rastin t’i kujtojnë Kosovës se ku bën pjesë, duke yshtur edhe mbështetës ekstremistë anë e mbanë kontinentit.
Çfarë bën UEFA në këto situata? Në rastin më të mirë, gjithçka kalon me gjoba qesharake dhe situata ripërsëritet e ripërsëritet. “Prite Zot” që shqiptarët të valëvisin në stadiume flamurin e UÇK-së apo, më “keq”, banderolën “Autochtonus”… UEFA t’u pret duart. Pikërisht ai institucion me të cilin krenohemi se kemi përfaqësinë më të lartë, por që zërin për këto “masakra sportive” nuk e ngre asnjëherë.
Dhe të mendosh se pikërisht me këto vende, në Serbi, ku javë pas jave Kosova konturohet si serbe, do të bashkëorganizojmë një turne që shqiptarët e kanë refuzuar në masë. Përse shqiptarët duhet të ulen në një tryezë e të bisedojnë si të civilizuar me një komb që mund të jetë i përçarë për shumë çështje, por kur vjen fjala për Kosovën tonë, ata bëhen bashkë pa u menduar dy herë?
A ka ardhur momenti që forcën tonë ta tregojmë me refuzim për të marrë pjesë në këtë tryezë, ku nuk ka asnjë reciprocitet e aq më pak respekt të ndërsjellë? Çfarë është ky zell për të shkelur mbi dinjitetin dhe historinë e shqiptarëve? Bashkëorganizimi i Euro 2027 me një vend që qëndrimin radikal ndaj vëllezërve tanë e ka zyrtarizuar është një gabim po aq historik.
Pirro Bardhyli

