Barcelona ka njoftuar se ka regjistruar për herë të parë në historinë e klubit të ardhura vjetore që kalojnë shifrën e 1 miliard eurove. Klubi katalanas e cilëson këtë si një rekord të ri ekonomik, duke theksuar se shifra është arritur pavarësisht vështirësive të lidhura me përdorimin e stadiumit gjatë sezonit. “Sa i përket aspektit ekonomik, ky sezon është karakterizuar gjithashtu nga një rekord i ri të ardhurash, duke kaluar për herë të parë barrierën e 1 miliard eurove”, thuhet në komunikatën e Barcelonës. Sipas klubit, një nga faktorët kryesorë pas këtij rekordi ka qenë rritja e të ardhurave nga aktivitetet në stadium. Barcelona thekson se kjo është veçanërisht domethënëse pasi gjatë pjesës së parë të vitit disa ndeshje u zhvilluan në stadiumin Johan Cruyff dhe në stadiumin Olimpik, ndërsa disa takime në “Spotify Camp Nou” u luajtën me një kapacitet prej vetëm 42 mijë spektatorësh.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, klubi ka arritur të përmbushë pothuajse plotësisht buxhetin e parashikuar për sezonin, i cili parashikonte që Barcelona të niste sezonin në stadium me një kapacitet mbi 60 mijë vende. Barcelona beson se këto shifra tregojnë potencialin e madh ekonomik të “Spotify Camp Nou” kur stadiumi të jetë plotësisht funksional. Në rekordin e të ardhurave kanë ndikuar gjithashtu rritja e vazhdueshme e të ardhurave nga sponsorizimet, si dhe shitjet rekord të produkteve zyrtare të klubit përmes filialit BLM. Ky rezultat përfaqëson një tjetër sinjal pozitiv për gjendjen financiare të Barcelonës, e cila në vitet e fundit ka punuar për të përmirësuar bilancin ekonomik dhe për të rritur burimet e saj të të ardhurave.

