Zbardhen detajet e aksidentit të Anthony Joshua

Shoferi i makinës me të cilën udhëtonte Anthony Joshua po tentonte të parakalonte një automjet tjetër në momentin kur ndodhi aksidenti tragjik në Nigeri, ku humbën jetën dy miqtë e ngushtë të boksierit britanik. Adeniyi Mobolaji Kayode, 46 vjeç, akuzohet për shkaktim të vdekjes përmes drejtimit të rrezikshëm të automjetit, si dhe për drejtim pa patentë të vlefshme, akuza të cilat ai i ka mohuar. Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, Kayode po përpiqej të parakalonte një kamion në lëvizje kur humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me një kamion tjetër që ishte i parkuar. Në makinë ndodhej edhe Anthony Joshua, ndërsa me të udhëtonin trajneri personal Latif Ayodele dhe trajneri i forcës Sina Ghami. Të dy humbën jetën në aksident. Grupi po udhëtonte për të vizituar babanë e Joshua-s në Ogun, pranë Lagosit, ndërsa në momentin e përplasjes ata ishin duke fjetur. Joshua, i cili mbijetoi aksidentit, u dërgua me urgjencë në spital pas përplasjes në autostradën Lagos-Ibadan, në Makun.

Në gjykatë u dëgjua gjithashtu se policia ende nuk ka marrë dëshmi nga vetë Joshua. Inspektori Christopher Ajayi Taiwo tha se nuk kishte arritur të kontaktonte boksierin, pasi “nuk e kishte numrin e tij”. Ndërkohë, Abubakar Adamu, 35 vjeç, drejtuesi i kamionit të parkuar me të cilin u përplas makina e Joshuas, akuzohet për pengim të qarkullimit të lirë dhe gjithashtu është deklaruar i pafajshëm. Në vendin e aksidentit, pranë pjesës së shoferit, u gjetën një librezë, disa qetësues dhe një pije energjike. Sipas policisë, të dy automjetet ishin larguar nga vendi i ngjarjes përpara mbërritjes së hetuesve. Aksidenti ndodhi në dhjetor të vitit 2025, vetëm 10 ditë pasi Joshua kishte mposhtur Jake Paul në një përballje shumë të komentuar. Në rikthimin e tij në ring në korrik, Joshua u përlot dhe u bëri homazh dy miqve të ndjerë, duke mbajtur edhe emrat e tyre në varëse të vendosura mbi gjoks. Në shkurt, ai kishte bërë tatuazh në krah emrat “LATZ” dhe “SINA”. Gjykata ka shtyrë seancën e radhës për 10 shtator.