Hamilton zbut tonet pas Holandës dhe kërkon falje

Lewis Hamilton ka zbutur tonet pas polemikave të krijuara në Çmimin e Madh të Holandës, duke pranuar se reagimet e tij në radio nuk përfaqësuan versionin më të mirë të vetes. Britaniku u shpreh i zhgënjyer gjatë garës, pasi qëndroi për disa xhiro pas shokut të skuadrës, Charles Leclerc, duke humbur një mundësi për të luftuar për podiumin. Në komunikimet me ekipin, Hamilton kritikoi edhe mënyrën e zbatimit të urdhrave, duke ndezur tensionet brenda Ferrarit, por pas garës shtatë herë kampioni i botës reflektuan dhe kërkoi falje publikisht.

“Kam dëgjuar përsëri disa nga komentet e mia në radio dhe në televizion. Në nxehtësinë e momentit, frustrimi mund të dalë në pah”, shkroi Hamilton, duke pranuar se reagimi i tij nuk ishte në nivelin që dëshironte dhe duke marrë përgjegjësinë për situatën. “Marr përgjegjësinë për këtë dhe do të bëhem më i mirë”, theksoi piloti i Ferrarit. Hamilton sqaroi se frustrimi vjen edhe nga dëshira e madhe për të fituar dhe nga besimi që ka te skuadra italiane. “Drejtimi është i duhuri, lufta vazhdon dhe besimi është ende aty”, shtoi ai, duke nënvizuar se vazhdon të besojë te mundësitë e Ferrarit dhe te zhvillimet që makina mund të ketë në pjesën e fundit të sezonit. Në renditjen e kampionatit, Kimi Antonelli kryeson me 242 pikë, ndërsa Hamilton dhe George Russell ndajnë vendin e dytë me nga 183 pikë. Ferrari renditet e dyta në klasifikimin e konstruktorëve me 338 pikë, pas Mercedesit që ka 425. Tashmë vëmendja zhvendoset te Monza, ku Ferrari do të kërkojë një reagim të fortë përpara tifozëve të saj. Provat e lira të para zhvillohen të premten, 4 shtator, ndërsa gara e Çmimit të Madh të Italisë do të zhvillohet të dielën, 6 shtator, në orën 15:00. Hamilton e mbylli mesazhin e tij me një premtim të qartë për ekipin: “Do t’ia dalim”.