Kritika e ashpër për Viniciusin: Asnjë klub nuk e do një lojtar të tillë

Vinicius Junior është sërish në qendër të kritikave në Spanjë pas paraqitjes së tij në ndeshjen e parë zyrtare të Real Madridit për këtë sezon. Sulmuesi brazilian u përfshi në disa episode të diskutueshme në fitoren 2-1 ndaj Espanyolit, duke rikthyer debatet rreth sjelljes së tij në fushë. 25-vjeçari, i cili sapo ka rinovuar kontratën me Real Madridin deri në vitin 2032, u akuzua për simulime në disa raste gjatë sfidës, duke tensionuar edhe më shumë atmosferën e ndeshjes. Kritikat ndaj brazilianit u ashpërsuan nga ish-portieri i Real Madridit, Santi Cañizares, i cili vuri në pikëpyetje edhe interesimin e klubeve të tjera për sulmuesin.

“Gjatë kësaj vere ka pasur një debat. I kishte mbetur edhe një vit kontratë dhe duhej ta shisje ose të mos e shisje. Duhej të vlerësoje se çfarë të jep në aspektin futbollistik dhe çfarë të merr. E dini çfarë ndodhi? Askush nuk e do”, deklaroi Cañizares. Ish-portieri spanjoll shkoi edhe më tej në kritikat e tij, duke pretenduar se Vinicius nuk ka pasur oferta konkrete gjatë merkatos.

“Askush nuk dëshiron një lojtar të tillë në klubin e tij. Unë mendoj se nuk ka pasur asnjë ofertë”, u shpreh ai. Sipas Cañizares, situata e ka vendosur Real Madridin përpara një zgjedhjeje të vështirë dhe rinovimi i kontratës mund të ketë ardhur më shumë nga nevoja sesa nga mungesa e alternativave. “Real Madridi ka qenë i detyruar dhe ka pasur nevojë t’ia rinovojë, sepse me shumë gjasa asnjë klub nuk është kontaktuar me të dhe as me përfaqësuesin e tij. Askush nuk dëshiron një futbollist me këto karakteristika”, shtoi ish-portieri.

Cañizares bëri edhe një koment ironik për klubet që mund të ishin të interesuara për brazilianin, duke përmendur Newcastle si një nga të paktat destinacione të mundshme.

Deklaratat kanë hapur sërish debatin në Spanjë për Viniciusin, i cili mbetet një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Real Madridit në aspektin sportiv, por njëkohësisht edhe një prej figurave më të diskutuara për sjelljen dhe reagimet e tij në fushë.