Një moment i ëmbël ka tërhequr vëmendjen e fansave të Neymarit. Ylli brazilian i futbollit ka lënë për pak kohë pas topin dhe i është kushtuar baletit, duke marrë pjesë në shfaqjen e baletit të së bijës, Mavie, e cila ndjek një akademi në Santos.
Në video, Neymar hyn në skenë së bashku me baballarët e tjerë dhe ndjek hapat koreografikë të balerinave të vogla, të veshura me fundet e tyre rozë prej tyli. Futbollisti duartroket, imiton lëvizjet, buzëqesh dhe argëtohet, duke krijuar një moment të veçantë për vajzën e tij dhe të gjithë të pranishmit. Momenti, i organizuar me rastin e Festës së Babait, emocionoi edhe vetë Neymarin, i cili e cilësoi eventin “shumë të veçantë” dhe zbuloi se ishte shfaqja e parë e vajzës së tij që ai ndiqte nga afër.

