Mirlind Daku protagonist në startin si titullar, asist dhe fitore për Spartak Moskën

Mirlind Daku ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë mundësinë e parë si titullar me Spartak Moskën, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në fitoren 2-1 ndaj Baltikës në kampionatin rus. Të dhënat e ndeshjes konfirmojnë se Daku ishte autori i asistit për golin e parë të Spartakut.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare e nisi takimin nga minuta e parë dhe në minutën e 20-të dha një pasim të shkëlqyer për Manfred Ugalden. Sulmuesi nga Kosta Rika nuk gaboi përballë portës, duke i dhënë Spartak Moskës avantazhin 1-0. Baltika reagoi vetëm pak minuta më vonë, duke barazuar shifrat, por Spartaku arriti të rikthehej te fitorja dhe të siguronte tri pikë të rëndësishme në transfertë.

Për Dakun, kjo ishte një paraqitje e rëndësishme pas transferimit te gjigantët e Moskës, pasi për herë të parë iu besua një vend në formacionin titullar. Ai luajti gjatë gjithë ndeshjes dhe tregoi menjëherë se mund të jetë një alternativë e rëndësishme në repartin ofensiv të skuadrës ruse. Me këtë sukses, Spartak Moska rikthehet te rezultatet pozitive pas humbjes së javës së kaluar ndaj Krasnodarit. Në ndërkohë, Daku po jep sinjale të mira në aventurën e tij të re, duke regjistruar tashmë edhe kontributin e parë vendimtar në një ndeshje ku e nisi si titullar.