Meksikani është jashtë planeve të trajnerit Amorim dhe portugezët janë futur në lojë. Klubi kuqezi sheh marokenin e vitlindjes 2001 për të zëvendësuar Athekame.
Duhej të ishte lojtari, i cili do të merrte përsipër sulmin e Milanit për disa vite, por Santi Gimenez është “9”-a e radhës që kalon në ekip këto vitet e fundit pa lënë shenjë. Aventura kuqezi e meksikanit po mbyllet pas 18 muajsh. Porto ka pasur kontaktet e para zyrtare me Milanin për ish-lojtarin e Feyenoord.
Bisedimet duket se kanë ecur mirë dhe gjasat janë që të arrihet një akord për huazimin me të drejtë blerjeje për rreth 20 milionë euro. Francesco Farioli, trajneri i Portos, ka folur me vetë lojtarin, i gatshëm për transferimin në Portugali. Te Milani atij i është ngushtuar më shumë hapësira, pas ardhjes së Goncalo Ramos.
Gimenez, pas një periudhe të vështirë me fanellën kuqezi, ka nevojë të ndërrojë ambient për të rilindur. Agjentët e tij janë në kontakt me Porton për detajet e kontratës, me qëllimin për ta mbyllur sa më parë lëvizjen. Nuk mund të përjashtohet fakti se deri në fund të merkatos Milani mund të shtojë një sulmues tjetër, duke përfituar ndoshta nga ndonjë “ulje”.
Klubi kuqezi në anën tjetër ka lëvizur për të gjetur zëvendësuesin e Zachary Athekame, i huazuar te Lioni. Emri i parë në listë është Zakaria El Ouahdi, mbrojtësi i krahut të djathtë te Genk.
Për anësorin maroken belgët kërkojnë rreth 15 milionë euro. Milani po reflekton dhe deri në shtator do të ketë ende lëvizje për t’i ofruar trajnerit Ruben Amorim një skuadër kompetitive për tre kompeticione.

