Federata Italiane e Futbollit ka zyrtarizuar stafin teknik që do të shoqërojë Roberto Mancinin në drejtimin e Kombëtares së Italisë. Siç ishte raportuar më herët nga mediat italiane, Alberto Bollini do të jetë ndihmëstrajneri i ri i “Axurrëve”, ndërsa Leonardo Bonucci, Antonio Gagliardi dhe Massimo Maccarone do të jenë bashkëpunëtorë teknikë.
Një rikthim i rëndësishëm është ai i Gabriele Orialit, kampion bote me Italinë në vitin 1982, i cili do të mbajë sërish postin e Team Manager, rol që e kishte ushtruar edhe gjatë periudhave kur kombëtarja drejtohej nga Antonio Conte dhe më pas nga vetë Mancini. Bollini vjen në këtë detyrë pas eksperiencës si trajner i Italisë U-19, me të cilën fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2023. Ndërkohë, Bonucci vazhdon rrugëtimin e tij në kombëtare pas eksperiencës në stafin e Gennaro Gattusos.
Edhe Antonio Gagliardi rikthehet te Italia, këtë herë si bashkëpunëtor teknik, pasi më parë kishte qenë analist i ndeshjeve në triumfin e Euro 2021. Ndërsa për Massimo Maccaronen bëhet fjalë për debutimin e tij në stafin e kombëtares, pas bashkëpunimit me Mancinin te Al-Sadd në Katar. Pjesë e stafit do të jenë edhe Marco Roccati si trajner i portierëve, me Cristiano Lupatellin si ndihmës, ndërsa Giacomo Ceci dhe Marco Montini do të kujdesen për përgatitjen atletike. Analiza e ndeshjeve do t’u besohet Renato Baldit dhe Christian Venturinit.

