Ferran Torres nuk është në shitje

Emri i Ferran Torres-it vazhdon të jetë në qendër të merkatos, sidomos pas deklaratave të tij gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës, ku la të kuptohej se nuk ishte i sigurt për të ardhmen te Barcelona. Kjo, së bashku me interesimin e raportuar të Paris Saint-Germain, ka shtuar spekulimet, por në klubin katalanas mbizotëron qetësia.

Drejtuesit e Barcelonës kanë një plan të qartë: në muajin shtator do të ulen në bisedime me sulmuesin spanjoll për t’i zgjatur kontratën, duke i ofruar kushte financiare pothuajse të njëjta me ato aktuale. Klubi beson se paga e tij është në përputhje me rolin që ka në skuadër dhe nuk planifikon ndryshime të mëdha. Arsyeja pse rinovimi nuk është mbyllur ende lidhet edhe me një klauzolë në marrëveshjen e transferimit nga Manchester City. Nëse Ferran rinovon, Barcelona duhet t’i paguajë klubit anglez edhe 7 milionë euro shtesë. Për këtë arsye, drejtuesit preferojnë fillimisht të regjistrojnë të gjitha afrimet e reja dhe më pas të finalizojnë marrëveshjen me lojtarin.

Brenda klubit, Ferran Torres konsiderohet një element i rëndësishëm në projektin e trajnerit Hansi Flick. Tekniku gjerman vlerëson aftësinë e tij për të luajtur në të tri pozicionet e sulmit, lëvizshmërinë dhe përkushtimin në fushë. Për më tepër, sulmuesi spanjoll e rriti edhe më shumë reputacionin e tij gjatë verës, duke shënuar golin që i dha Spanjës titullin kampion bote. Barcelona synon të ndjekë të njëjtën strategji që përdori me Eric Garcian dhe Frenkie de Jong, të cilët rinovuan kontratat vetëm pasi përfundoi merkatoja verore dhe situata financiare e klubit u bë më e qartë. Për këtë arsye, drejtuesit nuk duan të nxitojnë në negociata.