Zinedine Zidane është zyrtarisht trajneri i ri i kombëtares së Francës

Zidane do të marrë drejtimin e “Les Bleus” pas largimit të Didier Deschamps, duke i dhënë fund një epoke 14-vjeçare në krye të kombëtares franceze. Deschamps u largua pas Botërorit të fundit, të mbyllur nga Franca në vendin e katërt. Për Zidane, kjo është rikthimi në pankinë pas pesë vitesh. Ish-trajneri i Real Madridit nuk ka drejtuar asnjë skuadër që prej largimit nga klubi spanjoll në vitin 2021, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka refuzuar disa oferta, duke pritur mundësinë për të drejtuar kombëtaren e vendit të tij.

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, zyrtarizoi emërimin gjatë një konference për shtyp. “Kam privilegjin dhe nderin e madh t’ju njoftoj se Zidane do të jetë trajneri i ardhshëm i kombëtares franceze për katër vitet e ardhshme. Kontrata do të hyjë në fuqi më 1 gusht dhe ai do të prezantojë stafin e tij në fillim të shtatorit”, deklaroi Diallo.

I emocionuar, Zidane e cilësoi marrjen e drejtimit të Francës si një ëndërr të bërë realitet. “Ky është një ëndërr që bëhet realitet. Gjatë katër apo pesë viteve që qëndrova larg pankinës, mora shumë oferta për të drejtuar klube, por i refuzova të gjitha për kombëtaren franceze. Kjo ishte e vetmja gjë që doja të bëja pas eksperiencës sime te Real Madridi”, u shpreh Zidane.

Legjenda e futbollit francez, kampion bote me Francën në vitin 1998, theksoi se motivimi i tij i vetëm është të punojë për kombëtaren dhe ta ndihmojë atë të vazhdojë të fitojë. Zidane pati gjithashtu një mesazh të veçantë për paraardhësin e tij, Didier Deschamps, duke e përgëzuar për gjithçka që ka arritur gjatë 14 viteve në drejtimin e Francës. Tashmë, një kapitull i ri nis për kombëtaren franceze, me Zidane në krye të një prej skuadrave më të fuqishme të futbollit botëror. Kontrata e tij katërvjeçare do të përfshijë sfidat e ardhshme në Nations League, Kampionatin Evropian 2028 dhe Kupën e Botës 2030.