Ndryshimet te Partizani nuk kanë përfshirë vetëm futbollistët. Vetëm pak javë përpara se merkato të hynte në fazën më intensive, klubi u përball edhe me largimin e drejtorit sportiv Agim Ibraimi. Ish-futbollisti, i cili ishte prezantuar me shumë bujë nga presidenti Gazment Demi më 9 janar, dha dorëheqjen pas një eksperience që zgjati vetëm disa muaj.
Edhe pse ishte i pranishëm në nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri, situata ndryshoi shpejt dhe Ibraimi vendosi të mbyllte bashkëpunimin me të kuqtë. Largimi i tij erdhi në një moment delikat, kur Partizani pritej të hynte fuqishëm në merkato për të rindërtuar skuadrën pas sezonit zhgënjyes, në të cilin mbeti jashtë Kupave të Europës për herë të parë pas 11 vitesh. Deri tani, klubi ende nuk ka zyrtarizuar afrime, ndërsa merkato është karakterizuar më shumë nga largimet sesa nga përforcimet. Kjo situatë e bën edhe më të rëndësishëm rolin e trajnerit Florin Bratu, i cili po vlerëson grupin përpara se të vendosen hapat e ardhshëm në merkato.
Në total, Partizani ka parë të largohen këtë verë emra si Vusal Isgandarli, Karlos Martinez, Amos Nondi, Altin Bytyçi, Kamer Qaka dhe Laorent Shabani, ndërsa Alban Hoxha i dha fund karrierës si futbollist për t’iu bashkuar stafit teknik në rolin e trajnerit të portierëve. Me kaq shumë ndryshime në një periudhë kaq të shkurtër, vera e Partizanit po shndërrohet në një proces të plotë rindërtimi. Tashmë mbetet për t’u parë nëse drejtuesit do të kalojnë nga faza e largimeve te afrimet, në mënyrë që Florin Bratu të ketë në dispozicion një skuadër konkurruese për sezonin e ri.