Tebas shpërthen ndaj FIFA-s: Po shkatërrojnë futbollin

Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, ka kritikuar ashpër FIFA-n dhe presidentin e saj, Gianni Infantino, duke akuzuar organizatën për marrjen e vendimeve në interes të saj dhe pa konsultim me pjesën tjetër të industrisë së futbollit. Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Tebas vlerësoi suksesin e Spanjës në Kupën e Botës 2026, duke e atribuar atë te puna e përbashkët e klubeve, akademive, La Liga-s dhe Federatës Spanjolle. Sipas tij, 17 nga 26 lojtarët e grumbulluar për Botëror vinin nga klubet e La Liga-s.

Por kritikat më të forta të Tebas ishin të drejtuara ndaj FIFA-s. Ai kundërshtoi mënyrën e organizimit të Botërorit 2026, duke e cilësuar “gënjeshtër” përdorimin e pushimeve për hidratim në disa ndeshje, ndërsa kritikoi edhe vendimin për zgjatjen e pushimit të pjesës së parë në finalen e turneut.

Tebas kundërshtoi gjithashtu idenë e një Botërori me 64 kombëtare. “Nuk ka kuptim të rritet numri i kombëtareve. Industria e futbollit nuk është vetëm Kupa e Botës”, deklaroi ai, duke paralajmëruar se zgjerimi i kompeticionit mund të dëmtojë futbollin kombëtar dhe kalendarin e klubeve. Në fund, kreu i La Liga-s la të kuptohet se drejtimi aktual i FIFA-s duhet të ndryshojë, duke e vendosur hapur në pikëpyetje vazhdimin e Gianni Infantinos në krye të institucionit.