Ndahet nga jeta Igor Protti

Futbolli italian është në zi pas ndarjes nga jeta të ish-sulmuesit të njohur Igor Protti. Ish-futbollisti, i cili gjatë karrierës së tij veshi fanellat e disa klubeve të rëndësishme italiane, mes tyre Bari dhe Livorno, u shua në moshën 58-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin e zorrës së trashë.

Lajmi u bë i ditur nga familja e tij përmes një mesazhi prekës të publikuar në rrjetet sociale, ku u nda edhe përshëndetja e fundit që Protti kishte lënë sipas dëshirës së tij. “Ky udhëtim i mrekullueshëm, si çdo ndeshje, ka arritur te vërshëllima përfundimtare. E vetmja gjë që mund të bëj është të falënderoj familjen time të mrekullueshme që e kam dashur pafundësisht. Falënderoj të gjithë njerëzit që më kanë dashur dhe që kanë qenë pranë meje, si dhe tifozët e të gjitha skuadrave ku kam luajtur për dashurinë dhe respektin që më kanë treguar gjithmonë. Shpresoj që të jetë një mirupafshim dhe jo një lamtumirë”, shkruhej në mesazhin e tij.