Palestra do vetëm Interin

Pavarësisht se marrëveshja mes klubeve ende nuk është mbyllur, mbrojtësi i ri italian Palestra e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij: ai dëshiron të transferohet te Interi. Sipas mediave italiane, lojtari do të ishte tashmë pjesë e zikaltërve nëse gjithçka do të varej vetëm nga ai. Aktualisht, transferimi mbetet i bllokuar te negociatat mes Interit dhe Atalantës, por dëshira e futbollistit është e qartë dhe nuk ka ndërmend të ndryshojë mendim. Palestra po shijon pushimet verore, por me sytë nga Milano, duke pritur që klubet të gjejnë gjuhën e përbashkët për ta lejuar të vihet nën urdhrat e trajnerit të ri, Cristian Chivu.

Nuk është hera e parë që 20-vjeçari tregon vendosmëri për të ardhmen e tij. Një vit më parë ai insistoi të transferohej në huazim te Cagliari për të fituar minuta dhe për t’u vënë në dukje. Vendimi rezultoi i suksesshëm dhe tani ai beson se hapi i radhës në karrierë duhet të jetë kalimi te Inter.