Një incident i rëndë ka tronditur përgatitjet për Kupën e Botës 2026, pasi në Kansas City u regjistrua një sulm me armë zjarri vetëm pak kilometra larg bazës stërvitore të kombëtares së Anglisë. Sipas policisë lokale, të shtënat ndodhën në orët e para të mëngjesit në zonën e Troost Avenue, rreth gjashtë kilometra nga “Swope Soccer Village”, kampi ku do të qëndrojë dhe stërvitet Anglia gjatë turneut.
Bilanci i ngjarjes është nëntë të plagosur. Tre gra morën ndihmën e parë në vendngjarje, ndërsa gjashtë persona të tjerë u paraqitën më vonë në spitalet e zonës. Fatmirësisht, asnjëri prej të lënduarve nuk ndodhet në rrezik për jetën. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa deri tani nuk është arrestuar asnjë person i dyshuar.
Nga ana tjetër, futbollistët dhe stafi i Anglisë nuk kanë qenë në rrezik, pasi aktualisht ndodhen në Florida ku po zhvillojnë ndeshje miqësore përpara nisjes së Botërorit. Megjithatë, incidenti pritet të sjellë masa të shtuara sigurie rreth ekipit anglez në ditët e ardhshme.

