Një grup investitorësh i udhëhequr nga ish-kapiteni legjendar i Sevillas, Sergio Ramos, ka dështuar në tentativën për të marrë kontrollin e klubit andaluzian. Sipas raportimeve të mediumit spanjoll Marca, drejtuesit e Sevillas e kanë refuzuar menjëherë ofertën, duke e konsideruar atë si “ofertën më të keqe që kemi marrë ndonjëherë”. Burime pranë klubit kanë deklaruar se grupi i Ramosit synonte ta blinte Sevillan për vetëm 100 milionë euro, një shumë që është cilësuar shumë larg pritshmërive të aksionarëve aktualë.
Raporti thekson se oferta e fundit ndryshonte plotësisht nga marrëveshja paraprake që ishte diskutuar mes palëve në muajin janar. Në atë marrëveshje, investitorët kishin pranuar të merrnin 85 për qind të aksioneve për 275 milionë euro, duke marrë gjithashtu përsipër edhe borxhin prej 85 milionë eurosh, si dhe një rikapitalizim prej 80 milionë eurosh.
Në total, operacioni arrinte vlerën e 440 milionë eurove. Megjithatë, propozimi i ri parashikonte blerjen e vetëm 32 mijë aksioneve, që përfaqësojnë rreth 18 për qind të klubit pas rikapitalizimit. Sipas Marca-s, plani i grupit të udhëhequr nga Ramos ishte që më pas të kryente një rikapitalizim shtesë prej 120 milionë eurosh, gjë që do t’u siguronte kontroll praktik mbi klubin dhe shumicën e aksioneve në të ardhmen. Kjo skemë do të zvogëlonte gradualisht ndikimin e aksionarëve të tjerë të Sevillas, arsye pse drejtuesit e klubit e refuzuan menjëherë ofertën.
sfidanti.al

