Intrigat te Milani/ Vetëm Igli Tare festoi për golin

“Corriere della Sera” tregon se te goli i Saelemaekers gëzoi vetëm drejtori sportiv shqiptar. Të tjerët nuk lëvizën. Ka pasur një zënkë Ibrahimoviç-Allegri.

Goli i shpejtë i Saelemaekers, kualifikimi në Champions League një hap larg dhe një reagim në tribuna që flet më shumë se një mijë fjalë… Ajo që ndodhi në “San Siro” gjatë ndeshjes së fundit të kampionatit Milan-Cagliari hap “kutinë e Pandorës” në shtëpinë kuqezi dhe zbulon se krisja totale mes pronarëve dhe ish-drejtuesve sportivë i ka rrënjët larg.

Detajet dhe prapaskenat i zbulon Monica Colombo në faqet e “Corriere della Sera”. Aty bëhet me dije se suksesi i mundshëm në fushë i skuadrës së Allegri-t do t’i komplikonte planet e skicuara në tavolinë nga pronarët e klubit.

Në momentin e golit të avantazhit nga Alexis Saelemaekers, teksa stadiumi shpërthente nga gëzimi, në tribunën ku ishin ulur drejtuesit e klubit kuqezi pati një spektakël më vete. Vetëm Igli Tare u ngrit në këmbë dhe festoi. Të tjerët nuk lëvizën fare, madje u dukën të bezdisur nga rrjedha që mori ndeshja.

Objektivi për Europën që vlen iu kërkua qartësisht në fillim të sezonit trajnerit Allegri dhe drejtorit sportiv Tare. Nëse do të arrihej, largimi i tyre nga Milani do të bëhej praktikisht i pamundur.

Pas këtij “akulli” të drejtuesve është figura e Zllatan Ibrahimoviç, Senior Advisor i RedBird. Raportet e tij me trajnerin dhe drejtorin sportiv nuk kanë qenë të mira. Krisja me Allegri-n, gjithmonë sipas “Corriere”, ka nisur kohë më parë në një restorant në Milano.

Ajo që duhej të ishte një darkë e qetë u shndërrua në një debat të ndezur, që lindi për një preteks banal — zgjedhja e portierit të tretë për sezonin pasardhës, — në praninë e administratorit Giorgio Furlani dhe Igli Tares. Tensioni shkoi deri në atë pikë sa Tares iu desh të ndërhynte fizikisht për të ndarë trajnerin dhe ish-sulmuesin.

Planet për ndryshimin në radhët e drejtuesve të Milanit ishin bërë prej kohësh. Drejtuesit e RedBird kishin lëvizur prej javësh për një të ardhme pa Allegri dhe Tare. Udhëtimet dhe takimet e shpeshta në Londër shërbenin pikërisht për të hedhur bazat.

Kualifikimi i munguar në Champions League ishte pastaj preteksi perfekt për të justifikuar shkarkimet që u bënë dhe fillimin e revolucionit. Krisja e thellë u pa publikisht në rastin e golit të Saelemaekers.