Manchester City ka mbyllur një epokë të artë me lamtumirën emocionale të Bernardo Silva-s, i cili zhvilloi ndeshjen e tij të fundit me klubin në humbjen 1-2 ndaj Aston Villa në javën e fundit të Premier League-s.
Pas nëntë sezonesh dhe 20 trofesh të fituar me fanellën e “Citizens”, mesfushori portugez u nderua nga klubi dhe tifozët në një atmosferë të mbushur me emocione. Ndeshja e fundit shënoi gjithashtu lamtumirën e disa figurave të tjera të rëndësishme, përfshirë John Stones dhe trajnerin Pep Guardiola.
“Është shumë e vështirë të përshkruaj ndjenjat e mia për Manchester City-n dhe për ju. Mendoj se kurrë në jetën time nuk do të ndiej një dashuri të tillë,” u shpreh ai mes lotësh. “Dashuria që kam marrë nga ky klub dhe nga ju nuk besoj se do ta përjetoj sërish. Faleminderit për gjithçka. Jemi një familje dhe do të mbeteni gjithmonë familja ime.”
Bernardo Silva nuk arriti t’i mbante lotët as para ndeshjes, ndërsa u përshëndet me “guard of honour” në momentin e zëvendësimit, duke mbyllur kështu një nga periudhat më të suksesshme në historinë moderne të Manchester City-t.

