Formula, detajet dhe axhenda në futbollin shqiptar nuk janë asnjëherë të sigurta si psh…vdekja pas jetës. Në përgjithësi cikli jetësor funksionon si i tillë, kaotik por me dy data të sakta, atë të lindjes dhe të largimit nga kjo jetë e në mes njerëzit ndërtojnë dalëngadalë një trajektore, ku me rregulla strikte, diku më pak të rrepta dhe diku kaotike. Në kategorinë e fundit bën pjesë edhe vizioni që ka FSHF për futbollin shqiptar që “fle” ku e zë mbremja dhe nuk zgjohet në të njëjtin vend në mëngjes.
Një lojë kalçetoje mes miqsh me siguri ka rregulla më të qarta dhe këtë rutinë e cakton vazhdimësia që Superiorja jonë por edhe të gjitha kategoritë e tjera nuk e kanë. Formula me 4 finalistë që këtë sezon ka marrë trajtë edhe më “europiane” e shpërfytyroi jo pak futbollin elitar, por sikur të mos mjaftonte ky vendim gati gati amator, ditët e fundit kemi menduar të ndryshojmë edhe axhendën. Final 4 do të duhej të ishte minimalisht “copëza” më serioze e një orkestre ku gjatë gjithë sezonit njëri i bie trombës dhe tjetri daulles por jo…kemi menduar për surpriza deri në fund.
Në dy javët e fundit të Final Four, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi që mund të ketë ndryshim axhende dhe në këtë mënyrë. Vetëm nëse titulli do të mbetet për t’u vendosur mes Vllaznisë dhe Elbasanit, asgjë nuk do ndryshojë, në të kundërt ndryshe nga axhenda fillestare, Egnatia-Dinamo do të zhvendoset në “Elbasan Arena” më 31 maj. Pra, fillimisht duhet pritur sfida Vllaznia-Egnatia, ku vetëm nëse fitojnë kuqeblutë mund të konfirmohet se do të ndiqet axhenda e mëparshme, ndërsa fitorja e Vllaznisë do të bënte që Egnatia dhe Dinamo të mos kishin shpresa për titullin kampion. Kaos i panevojshëm që krijon një amulli edhe më të madhe në Superioren tonë që edhe pa vendimet e orës së fundit, është në amulli.
Pirro Bardhyli

