Luis Enrique: Nuk dua të bëhem një trajner i vjetër pa ide

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka folur për të ardhmen e tij në pankinë gjatë ditës së medias të organizuar nga UEFA, në prag të finales së Champions League. Tekniku spanjoll, i njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë, u ndal te kohëzgjatja e karrierës së trajnerëve dhe deklaroi se nuk dëshiron të vazhdojë pafund në këtë profesion. “Unë nuk dua të bëhem një trajner i vjetër, pa ide, nëse mund ta them kështu. Nuk është ajo që dëshiroj, edhe pse sot po shihen gjithnjë e më shumë trajnerë që zgjasin shumë në kohë,” tha ai me ironi.

Luis Enrique shtoi se ka vendosur edhe një objektiv personal për të ardhmen e tij: “Pas moshës 60 vjeç… për këtë flas edhe me vëllanë tim, Felipe. I them gjithmonë se unë do të tërhiqem para tij. Ai është një vit më i ri dhe thotë se do të ndalet në 61… bëni vetë llogaritë.” Ish-trajneri i Spanjës dhe ish-tekniku i Barcelonës dhe Romës theksoi gjithsesi se aktualisht është plotësisht i fokusuar te objektivi kryesor me PSG-në. Skuadra pariziene po përgatitet për finalen e Champions League, ku do të përballet me Arsenalin, një ndeshje që mbetet prioritet absolut për trajnerin spanjoll.

sfidanti.al