Revolucion i UEFA-s, ndryshon formati i Nations League dhe kualifikueset e Europianit

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mbajti këtë të mërkurë mbledhjen e radhës në Stamboll të Turqisë, ku u morën disa vendime të rëndësishme lidhur me zhvillimin e futbollit europian në vitet e ardhshme.

Një nga vendimet kryesore ishte miratimi në parim i formatit të ri për kompeticionet e kombëtareve europiane që do të zbatohet pas UEFA Euro 2028. UEFA Nations League 2028/2029 do të kalojë nga katër në tre liga me nga 18 skuadra. Çdo ligë do të përbëhet nga tre grupe me nga gjashtë ekipe që do të luajnë gjashtë ndeshje kundër pesë kundërshtarëve të ndryshëm. Me pjesëmarrjen e 55 ekipeve, Liga C do të ketë një grup me 7 skuadra.

Edhe eliminatoret europiane do të kenë një strukturë me nivele: Liga 1, e përbërë nga 36 skuadrat e Ligave A dhe B të Nations League, dhe Liga 2, e përbërë nga 18 (ose 19) skuadrat e mbetura.

Në Ligën 1 do të ketë tre grupe me nga 12 skuadra, të ndara në tre vazo me nga 12 ekipe. Çdo kombëtare do të luajë gjashtë ndeshje, brenda ose jashtë fushe, kundër gjashtë kundërshtarëve të ndryshëm, dy për çdo vazo, në një format të ngjashëm me kompeticionet e klubeve të UEFA-s.

Liga 2 do të organizohet njësoj si Liga C e Nations League, me tre grupe nga gjashtë skuadra (ose një grup me shtatë).

Skuadrat pritëse të turneut final do të marrin pjesë gjithashtu në eliminatoret Europiane, me objektiva të lidhura me pozicionimin e tyre në edicionin e ardhshëm të Nations League.

Skuadrat e renditura më mirë në çdo grup të Ligës 1 do të kualifikohen direkt në turneun final, ndërsa vendet e mbetura do të përcaktohen përmes një sistemi play-off-i, që do të garantojë mundësi të drejta kualifikimi edhe për skuadrat e Ligës 2.