Zvicra do të udhëhiqet në Botërorin 2026 nga kapiteni i saj ikonik, Granit Xhaka, i mbështetur nga Manuel Akanji, Breel Embolo dhe Denis Zakaria. Në krye të kombëtares që nga vera e 2021-shit, trajneri Murat Yakin ka shpallur listën e të grumbulluarve me pak surpriza.
Bie në sy përfshirja në listë e Zeki Amdouni, sulmuesi i Burnley, që këtë sezon ka luajtur vetëm 45 minuta, pas këputjes së ligamentit krociat të gjurit.
Zvicra është një nga skuadrat europiane më konstante të Kupës së Botës. E pranishme në fazën finale nga 2006-a në Gjermani, ka arritur deri në 1/8-at në 3 turnetë e fundit. Xhaka me shokë bëjnë pjesë në Grupin B, bashkë me Katarin, Bosnjë Hercegovinën dhe Kanadanë.

