Në një konferencë shtypi me karakter zyrtar, Sylvinho në krah të Armand Dukës dhe Rolando Maran, finalizoi daljen më diplomatike të mundshme në të tilla raste, duke mos preferuar madje të “hiqte asnjë gur nga këpucët”. Natyrisht që braziliani gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri ka punuar në sintoni të plotë me drejtuesin e lartë të FSHF-së, por një ish-lojtar i kalibrit të tij duhet ta ketë edhe luksin që disa pikëpyetje të na i heqë nga trajektorja plot dritëhije e karrierës së tij si kuqezi.
“Përse”-ja e parë dhe më e madhe e epokës së tij ishte çështja “Muçi” dhe kush mendon që kjo tashmë është bërë një temë bajate, gabohet rëndë. Pse Sylvinho nuk e përfshiu asnjëherë në planet e tij një lojtar të rritur në Shqipëri dhe me një trajektore të pabesueshme që po e katapulton si lojtarin e rekordeve absolute në Turqi? Për ta transferuar, Trabzonspor do të paguajë 8.5 milionë dhe vetë sulmuesi do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon. Shifra të frikshme për një shqiptar të rritur në Shqipëri që me gjasa shumë vështirë mund t’i arrijë dikush tjetër.
“Përse”-ja e dytë: Ismajli jashtë formacionit në Euro 2024 në një kohë që erdhi si titullar në një ekip të Serie A për më tepër me minuta në këmbë.
“Përse”-ja e tretë: Bajrami titullar në ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të historisë në Poloni
“Përse”-ja e katërt: Si është e mundur që Sylvinho si trajneri i skuadrës që bashkon kombin dhe njerëzit, nuk dha asnjë mesazh për largimin e tifozëve më të zjarrtë të Kombëtares nga shkallët?
“Përse”-ja e pestë dhe shumë “përse” të tjera: A mund të japë trajneri I Kombëtares një gjykim për futbollin shqiptar? Sigurisht që po, por Sylvinho asnjëherë nuk e bëri një gjë të tillë dhe “përse”-në në këtë rast ndoshta e kuptojmë nga veprimet e tij. Ai nuk preferoi të besonte te lojtarët e Superiores tonë dhe kjo mjafton si përgjigje.
Pirro Bardhyli

