Tani që i kemi të gjithë përbërësit gati në shportë, mund të rifillojë gatimi i gjellës që do t’i serviret futbollit europian për 4 vitet e ardhshme. Nëpërmjet kanaleve zyrtare, bëhet me dije se Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, në mbledhjen e zhvilluar të enjten, shqyrtoi dhe miratoi unanimisht propozimin e Presidentit Armand Duka lidhur me kandidaturën që FSHF do të mbështesë për postin e Presidentit të UEFA-s.
“Ky vendim vjen si shprehje e vlerësimit maksimal për lidershipin, vizionin dhe kontributin e Presidentit Čeferin në zhvillimin e futbollit europian gjatë viteve të fundit”, thuhet mes rreshtave të “justifikimit” për vendimin që FSHF dëshiron ta cilësojë si “unanim”.
Uniteti FSHF-Komitet-UEFA për të mirën e futbollit duket më i “çeliktë” se kurrë, madje për cilësi ia kalon edhe çelikut që dikur prodhohej në Elbasan.
Me doza humori mund ta cilësojmë si një vendim historik mbështetjen për një njeri që erdhi në kolltuk me premtimin për ta shkurtuar në dy numrin e mandateve por sëmundja e vjetër e pushtetit është gjithmonë aty, e fshehur dhe e gatshme për të bërë dëme sa herë del në skenë. Në fund të fundit, nuk kishte asnjë nxitim për ta shprehur hapur mbështetjen për kandidaturën e Ceferin pasi zgjedhjet do të zhvillohen 12 muaj më vonë, por nga anët tona shprehja “më mirë një mik se sa një armik”, është gurthemeli i mendësisë për të ndërtuar institucionet “demokratike”. Në fund të fundit, kush është Shqipëria që të japë mend? Vendi që për rreth 3 dekada nuk e merr seriozisht futbollin.
Pirro Bardhyli

