Muriqi “pushton” La Ligën

Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë në elitën e futbollit spanjoll dhe po konfirmohet si një nga sulmuesit më në formë të sezonit në La Liga. Ylli kosovar është përfshirë në formacionin më të mirë të javës nga Sofascore, pas një tjetër paraqitjeje të madhe me fanellën e Mallorcës. Sulmuesi prizrenas realizoi gol në barazimin 1-1 ndaj Villarrealit dhe u vlerësua me notën 8.2, duke zënë vendin në qendër të sulmit në ekipin ideal të javës së 35-të.

Në repartin ofensiv, përkrah Muriqit u përfshi edhe bashkëlojtari i tij Zito Luvumbo, ndërsa mesfusha u kompletua nga emra si Álex Baena dhe Antony. Paraqitjet fantastike të Muriqit po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje në Spanjë. Sulmuesi dardan ka realizuar plot 22 gola këtë sezon në La Liga dhe renditet i dyti në listën e golashënuesve, vetëm pas Kylian Mbappé, që kryeson me 24 gola. Përfshirja në formacionin e javës është një tjetër konfirmim i sezonit fantastik të bomberit kosovar, i cili vazhdon të jetë lideri absolut i Mallorcës dhe një nga figurat më të rëndësishme të kampionatit spanjoll.

sfidanti.al