Edhe pse në merkaton e verës së kaluar kanë shpenzuar gati 450 milionë euro në merkato, drejtuesit e Liverpool kanë vendosur që të rishikojnë çmimet e biletave në “Anfield Road” pasi sipas tyre inflacioni dhe faktorë të tjerë kanë bërë që të ardhurat nga ky zë duhen që të rriten.
Ky vendim i klubit nuk është pritur mirë prej tifozerisë, e cila ka reaguar ashpër në takimin mes Liverpool-Fulham. “The Kop” shpalosi një baner ku shkruhej: “Jo rritjes së çmimit të biletave”!
Tifozët nuk janë mjaftuar me kaq pasi gjatë ndeshjes nuk janë përmbajtur duke ofeduar në kor drejtuesit e klubit. Kjo ngjarje e pakëndeshme ndodhi edhe pse drejtuesit e Liverpool ishin munduar që të shpjegonin arsyen e vendimit që morën.
Shefi i ekzekutivit Billy Hogan të premten u dërgoi një e-mail të gjithë tifozëve që zotëronin një biletë sezonale ku u shpjegonte arsyen e rritjes së çmimeve. Në këtë letër thuhej se inflacioni në rritje në tri vitet e fundit kishte detyruar skuadrën që të kërkonte më shumë në këmbim të biletave.
Kjo ngjarje u komentua edhe nga kapiteni i ekipit, Virgil van Dijk. Sipas tij prej situatës së krijuar nuk përfitonte askush. “Unë jam i mendimit se tifozët janë zemra e një ekipi. Nëse ata mendojnë se çmimet janë të larta duhet gjetur një zgjidhje ku të gjitha palët të jenë të kënaqura. Edhe pse kjo çështje nuk është në dorën time që të zgjidhet, unë them se tifozët janë gjithçka në këtë klub”, komentoi Virgil van Dijk.

