Bylisi kërkon reagim ndaj Dinamos

Bylisi është fokusuar maksimalisht te përballja me Dinamon, me ballshiotët që synojnë rikthimin te fitorja pas humbjes së fundit në Rrogozhinë. Në Ballsh, skuadra ka nisur grumbullimin që prej së hënës, ndërsa ambienti është i përqendruar dhe i organizuar, me objektiv të qartë: tre pikët ndaj “bluve”. Megjithatë, bëhet fjalë për një sfidë delikate, për vetë cilësinë që zotëron Dinamo.

Pavarësisht kësaj, Bylisi do të kërkojë të “nxjerrë dhëmbët” në fushën e vet, edhe për shkak të nevojës urgjente për pikë, pasi çdo hap fals do të ndërlikonte më tej pozitat në renditje. Nga ana e formës, Abubakar Kamara paraqitet në gjendje shumë të mirë, ashtu si edhe Koxhi, i cili ishte aktiv në Rrogozhinë dhe pritet të jetë gati për një tjetër betejë si titullar. Bruno gjithashtu duket në rritje, ndërsa Olavio vijon të jetë larg formës optimale fizike dhe vetëm në fundjavë do të vendoset nëse sulmuesi brazilian do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Dinamos. Në ndeshjen e fundit, trajneri Mirel Josa provoi një modul me Vieira dhe Koxhi në sulm, të mbështetur nga Përgjoni, por ofensiva rezultoi e pafuqishme për të gjetur golin. Problemet në repartin ofensiv janë bërë të dukshme në këtë fazë të dytë të kampionatit, sidomos pas largimit të Mustafa.
sfidanti.al