Lukaku-Napoli, kriza thellohet

Situata mes Romelu Lukaku-t dhe Napoli vazhdon të mbetet e tensionuar, me komunikimet që janë të hapura, por pozicionet ende shumë të largëta. Sulmuesi belg ndodhet aktualisht në Antwerp, rreth 1700 kilometra larg Napolit, një distancë që simbolizon më së miri edhe raportin aktual mes palëve.

Kriza shpërtheu të enjten, kur stafi i Napolit priste rikthimin e Lukakut në qendrën stërvitore të Castel Volturno, pas angazhimeve me kombëtaren. Por sulmuesi jo vetëm që nuk u paraqit, por la të kuptohej se nuk kishte ndërmend të rikthehej as në ditët në vijim. Kjo sjellje irritoi drejtuesit e klubit, të cilët vendosën një ultimatum të qartë: rikthimi brenda të martës, përndryshe lojtari rrezikon të përfundojë jashtë skuadre. Megjithatë, deri tani ky presion nuk ka ndryshuar qëndrimin e Lukakut. Edhe pse afati po afrohet, ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin e tij, duke e bërë situatën gjithnjë e më të paqartë.

sfidanti.al