Ish-trajneri i Turqisë vlerëson Kosovën: Nuk dorëzohet kurrë

Ish-trajneri dhe ish-kapiteni i Oğuz Çetin ka bërë një analizë të detajuar për përballjen mes Kosovës dhe Turqisë, në kuadër të “play-off”-it për Botërorin 2026.

Sipas tij, “Dardanët” janë një skuadër që nuk dorëzohet lehtë dhe që ka bërë progres të dukshëm në vitet e fundit.

Çetin thekson se Kosova ka ndërtuar një identitet të fortë loje, duke u bazuar në kolektiv dhe disiplinë taktike. Ai vlerëson se skuadra ka lojtarë që aktivizohen në nivele të larta dhe që janë më cilësorë krahasuar me shumë kundërshtarë të mëparshëm.

Një rol të rëndësishëm, sipas tij, e luan edhe fakti që Kosova është një vend i vogël, gjë që ndikon në krijimin e një fryme të fortë bashkëpunimi dhe sakrifice.

Në analizën e tij, ish-ylli turk ndalet edhe te figura e Vedat Muriqit, duke e cilësuar si një lojtar kyç që mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes.

“Kosova është një skuadër që nuk dorëzohet kurrë gjatë ndeshjeve. Edhe kur është në disavantazh, ka treguar aftësi për të rikuperuar dhe shënuar gola. Lojtarë si Vedat Muriqi janë individë kyç që mund të ndikojnë në rrjedhën e ndeshjes, por më e rëndësishme është mënyra se si ata krijojnë hapësira për shokët e skuadrës”, ka thënë Çetin.

sfidanti.al