Thuram në krizë te Interi, Premier League në pritje

Situata e Marcus Thuram te Inter Milan po bëhet gjithnjë e më e paqartë, ndërsa merkatoja verore pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit francez. Sipas raportimeve të fundit, forma e Thuram ka rënë ndjeshëm: ai nuk ka shënuar në 8 ndeshje radhazi dhe ka realizuar vetëm një gol në 16 paraqitjet e fundit, duke ngritur pikëpyetje serioze në klub për vazhdimësinë e tij. Në ambientin zikaltër nuk vihet në dyshim profesionalizmi apo angazhimi i lojtarit, por performancat në fushë kanë lënë për të dëshiruar, me sulmuesin që has vështirësi për të bërë diferencën dhe shpesh gabon në vendimmarrje gjatë ndeshjeve.

Në këtë situatë, Interi po reflekton për të ardhmen dhe nuk përjashton një shitje në verë në rast ofertash të rëndësishme. Klubi ka vendosur një çmim prej të paktën 70 milionë eurosh për kartonin e tij, ndërsa interesi më i madh vjen nga klubet e Premier League. Skuadra si Newcastle dhe Aston Villa po monitorojnë situatën, ndërsa në sfond mbetet edhe opsioni i Arabisë Saudite. Vendimi final për Thuram do të merret në fund të sezonit, kur drejtuesit e Interit do të bëjnë bilancin e plotë të rendimentit të tij dhe rolit në projektin e ardhshëm të ekipit.

sfidanti.al