Zaccagni dëmtohet dhe humbet play-off-et e Botërorit

Lazio merr një lajm të keq pas ndeshjes së kampionatit ndaj Milanit. Mesfushori dhe kapiteni i skuadrës, Mattia Zaccagni, ka pësuar një dëmtim muskulor që do ta mbajë larg fushave për disa javë. Sipas njoftimit zyrtar të klubit bardhekaltër, pas konsultimit me stafin mjekësor, lojtari ka pësuar një dëmtim post-traumatik me intensitet mesatar në muskulin e kofshës së djathtë. Futbollisti ka nisur menjëherë protokollin e rikuperimit, por koha e nevojshme për rikthim mbetet shqetësuese.

Ky dëmtim pritet ta përjashtojë Zaccagnin nga ndeshjet e rëndësishme të play-off-it për Kupa e Botës 2026. Rikuperimi i tij për sfidën e parë të Italisë, e planifikuar më 26 mars, duket shumë i vështirë. Një mungesë e rëndë për përfaqësuesen italiane dhe trajnerin Gennaro Gattuso, i cili do të duhet të bëjë pa një nga elementët më të rëndësishëm në repartin ofensiv.

sfidanti.al