Pas humbjes së transfertës ballshiote, me një gol të pësuar, në dy minutat e fundit, Vora tashmë ka kapur zonën e “play out”, pa nisur ende faza e katërt. E kur mendon 9 ndeshjet e fundit duket se ajo do të jetë edhe faza e zjarrtë për të gjitha ekipet e Superiores. Një kampionat më vete gjatë fazës së tretë, do të zhvillohet për mbijetesën në Superiore. Janë katër skuadra që po përballen për të qëndruar mes më të mirëve. Bylis, Vora, Flamurtari dhe Tirana. Tashmë ekipi vorak është futur në qendrën e zonës së kuqe të këtij minikampionati. Këto ekipe do të diskutojnë midis tyre dy skuadrat, që do të bien direkt dhe skuadra, që do të ketë ndeshje shtesë, pra ajo e zonës “play out”, ku ndodhet aktualisht Vora. E duke qenë në një situatë të tillë njëra prej këtyre katër ekipeve do t’i shpëtojë mbijetesës. A do të mbijetojë?
Faktet janë kokëfortë, sepse edhe atë pozicionim komod, që shpëtohej mbijetesa e vorakëve, ato e humbën, duke mos rrezistuar më në vendin e 7-të. Rokada e bërë me ballshiotët, pas humbjes 0-1 me Bylisin e kanë zbritur një shkallë në tabelë, në atë të vendit të 8-të, që përfshin zonën “play out”. Në këtë sfidë direkte me rivalin, Vora shkoi e sakatuar, pasi 8 lojtarët më të mirë të saj nuk ishin në atë takim, për shkaqet e dëmtimeve dhe të kartonëve. Kështu që ekipi debutues, që ka zhvilluar ndeshje shumë të bukura, gjatë këtij sezoni, duke u treguar të barabartë në fushë, me çdo kundërshtar tjetër, këto ndeshjet e fazës së tretë e kanë zhytur në një krizë rezultatesh, që me shumë gjasa nuk po e merr dot veten.
sfidanti.al

