Pak orë pas humbjes 1-3 ndaj Elbasanit dhe eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, klubi i Partizanit ka mbajtur një qëndrim zyrtar, ku konteston gjykimin e kryesorit Eldorjan Hamiti. Në reagimin e të kuqve shkruhet se kryesori nga Lezha vendosi kualifikimin dhe se është i papërgjegjshëm. Postimin e bërë në faqen zyrtare Partizani e shoqëron me pamjet e rastit të penalltisë të minutës së 119-të, në favor të Elbasanit, që shënoi golin e kualifikimit.
“Klubi Partizani dënon me forcë gjykimin e ndeshjes së sotme të Kupës së Shqipërisë Partizani-Elbasani, me një arbitër të papërgjegjshëm si Eldorian Hamiti. Ky arbitër është non grata për Partizanin. Rasti më flagrant është minuta 119, kur Hamiti vendosi kualifikimin me një penallti inekzistente, të cilën vetëm ai e ka parë. Çdokush mund të gjykojë vetë nga këto pamje të cilat nuk kanë nevojë për koment. Thellësisht të hidhëruar për vjedhjen që i bëhet djersës se lojtarëve dhe dëmin që i bëhet ekipit.
I bëjmë thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit për përjashtimin e këtyre arbitrave të papërgjegjshëm nga sistemi i arbitrimit, që bashkë me imazhin e Partizanit po dëmtojnë imazhin e futbollit si dhe vetë institucionin më të lartë të futbollit në vend, duke rritur pakënaqësinë e sportdashësve përkundrejt besueshmërisë së garës sportive. FK Partizani kërkon vetëm drejtësi!” – shkruhet në reagimin e klubit kryeqytetas. Kundër gjyqtarit Hamiti ka reaguar pas ndeshjes edhe trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja.
sfidanti.al

