Barcelona ndjek nga afër sulmuesin e Kosovës

Barcelona po monitoron nga afër situatën e sulmuesit të Hoffenheim, Fisnik Asllani, përpara një transferimi të mundshëm gjatë merkatos së verës. Sulmuesi kosovar ka qenë një nga zbulimet më interesante të këtij sezoni në Bundesligë. Performancat e tij mbresëlënëse kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane, të cilat po ndjekin nga afër zhvillimin e tij. Sipas raportimeve të gazetës katalanase “Sport”, Barcelona aktualisht duket se ka një avantazh në garën për 23-vjeçarin. Një nga arsyet kryesore është dëshira e vetë lojtarit për të veshur fanellën e klubit katalunas, një ëndërr që mund të ndikojë ndjeshëm në zgjedhjen e tij për të ardhmen. Megjithëse Asllani ka kontratë me Hoffenheimin deri në vitin 2029, marrëveshja e tij përfshin një klauzolë lirimi prej rreth 30 milionë eurosh. Ky çmim konsiderohet i përballueshëm për një klub si Barcelona, e cila është në kërkim të një sulmuesi të ri për të ardhmen.

Klubi katalanas, që drejtohet nga trajneri Hansi Flick, po studion opsionet për të gjetur një pasues afatgjatë të veteranit polak Robert Lewandowski. Profili i Asllanit, mosha e re dhe potenciali i madh e bëjnë atë një kandidat shumë interesant për projektin e ardhshëm të skuadrës. Megjithatë, Barcelona nuk është e vetmja e interesuar. Sulmuesi kosovar është lidhur gjithashtu me klube të mëdha të Premier League si Chelsea, Tottenham Hotspur dhe Aston Villa, ndërsa në të kaluarën interes për të ka shfaqur edhe Bayern Munich. Vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Fisnik Asllanit, i cili mund të bëjë hapin më të madh të karrierës së tij.

sfidanti.al