Një ortak i FC Barcelona ka paraqitur një padi pranë Gjykatës Kombëtare në Spanjë ndaj presidentit Joan Laporta dhe disa anëtarëve të mëparshëm të bordit drejtues, duke ngritur dyshime mbi menaxhimin ekonomik dhe disa vendime të marra nga drejtuesit e klubit. Denoncuesi, i identifikuar si Isidro Navarro, ka sqaruar publikisht se iniciativa e tij nuk ka asnjë motiv personal apo politik kundër Laportës. Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se qëllimi i vetëm është “të sqarohen disa çështje që i konsideron të paqarta”, duke mohuar çdo prapavijë personale apo lidhje me grupe rivale brenda klubit. Navarro gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet se veprimi i tij lidhet me klimën zgjedhore në klub, duke insistuar se padia është rezultat i një reflektimi personal dhe shqetësimi për transparencën. Tashmë çështja pritet të shqyrtohet nga organet kompetente, të cilat do të vendosin nëse procedura do të vijojë në gjykatë.
sfidanti.al

