Muriqi, Fenerbahce nuk heq dorë

Sezoni fantastik i Vedat Muriqi mund të mos mjaftojë për të shpëtuar Mallorcën nga rënia. Sulmuesi kosovar ka realizuar 16 gola këtë edicion në La Liga, por skuadra e tij ndodhet aktualisht në vendin e 18-të – pozicion që e dërgon në Segunda División nëse nuk ndryshon situata deri në fund.

E ardhmja larg Spanjës?

Nëse Mallorca bie nga elita, gjasat që Muriqi të vazhdojë në kategorinë e dytë janë minimale. Klubi spanjoll do të përpiqet ta mbajë, por interesi nga Turqia është i fortë. Sipas mediave turke, Fenerbahçe po monitoron nga afër situatën. Në rast të rënies së Mallorcas, rikthimi i bomberit në Stamboll do të bëhej shumë më i realizueshëm, pasi do të hiqeshin pengesat kryesore financiare dhe sportive për transferimin. Edhe nëse Mallorca siguron mbijetesën, Fenerbahçe pritet të tentojë ta bindë 30-vjeçarin për një rikthim, duke u bazuar te lidhja e fortë që ai ka me klubin dhe tifozët.

Kujtime të arta në Stamboll

Muriqi ka lënë gjurmë te gjiganti turk në sezonin 2019-2020, kur realizoi 15 gola dhe dhuroi 5 asistime në 32 ndeshje kampionale, duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të spikatur të kampionatit. Tashmë gjithçka varet nga fundi i sezonit në Spanjë. Nëse Mallorca rrëshqet nga La Liga, dera për rikthimin e Muriqit në Turqi mund të hapet më shpejt se sa pritej.

sfidanti.al