Orges Shehi rikthehet në stolin e Tiranës

Klubi i Futbollit KF Tirana ka zyrtarizuar rikthimin e Orges Shehi në krye të pankinës bardheblu. Trajneri që udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion dhe trofeve të tjerë kombëtarë do të drejtojë ekipin deri në fund të këtij sezoni.

Shehi rikthehet në një moment të rëndësishëm për bardheblutë, me synimin për të rikthyer stabilitetin dhe mentalitetin fitues që karakterizoi periudhën e tij të parë në krye të ekipit. Nën drejtimin e tij, Tirana arriti të fitojë titullin kampion dhe Superkupën e Shqipërisë, duke ndërtuar një identitet të fortë loje dhe një frymë gare brenda skuadrës.

Klubi beson se eksperienca dhe njohja e ambientit nga ana e Shehit do të jenë faktorë kyç në arritjen e objektivave sezonalë.

Rikthimi i tij pritet të japë një impuls të ri në kampin bardheblu, ndërsa tifozët shpresojnë në një tjetër kapitull të suksesshëm nën drejtimin e trajnerit që ka lënë gjurmë në historinë e fundit të klubit.