Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka nisur fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e 15 marsit me deklarata të forta kundër arbitrimit, veçanërisht pas ndeshjes së fundit ndaj Girona-s. Laporta u shpreh se ekzistojnë forca që, sipas tij, nuk dëshirojnë ta shohin Barcelonën kampione. Ai deklaroi se ka njerëz, si në aspektin sportiv ashtu edhe jashtë fushe, që nuk duan që klubi katalanas të fitojë LaLiga-n, por theksoi bindjen e tij se skuadra do të arrijë objektivin. Sipas Laporta-s, ky sezon do të jetë një betejë e vërtetë kundër gjithçkaje dhe të gjithëve.
Presidenti mbrojti grupin e lojtarëve dhe vlerësoi punën e drejtorit sportiv Deco dhe të trajnerit Hansi Flick, duke e cilësuar skuadrën si një “thesar” në dhomën e zhveshjes. Ai bëri të ditur se ka biseduar personalisht me futbollistët, të cilët i ka parë të motivuar për të reaguar dhe për të kthyer situatën. Laporta theksoi gjithashtu se ndërhyrja ndaj Jules Koundé në golin e dytë të Girona-s ishte një faull i qartë.
Në fund, Laporta rikujtoi sukseset e viteve të fundit, duke nënvizuar se klubi ka fituar dy tituj kampionë, tri Kupa të Mbretit dhe tri Superkupa gjatë pesë sezoneve të fundit. Ai përmendi edhe 48 trofe evropianë të fituar nga seksionet e tjera të klubit, me një vlerësim të veçantë për ekipin e femrave dhe arritjet e tij ndërkombëtare.
Sfidanti.al

